SHËRBËTOR I HYJIT GJON FRAN (JANEZ FRANČIŠEK) GNIDOVEC CM

SHËRBËTOR I HYJIT GJON FRANË (JANEZ FRANČIŠEK) GNIDOVEC CM

Janez Gnidovec lindi më 29 shtator 1873, në fshatin Lipoveci i Madh, në famullinë Ajdovec (sot ipeshkvia e Novo Mesto, Slloveni). Të nesërmen u pagëzua në kishën e famullisë. Më 29 janar 1880 i vdiq nëna Jozefina. Po të njëjtin vit filloi dhe vitin tjetër përfundoi shkollën njëvjeçare të fshatit dhe më pas shkoi në Novo Mesto, ku në vitin 1892 përfundoi gjimnazin. Më 11 shkurt të vitit 1892 i vdiq edhe i ati Janez. Të njëjtin vit hyri në seminarin e Lubjanës ku qëndroi deri në verën e vitit 1896. Më 23 korrik 1896 u shugurua meshtar me detyrën e kapelanit në famullinë Idrija dhe Vipava (1896 – 1899).

Në vitin 1899 ipeshkvi i Lubjanës, imzot Anton Bonaventura Jeglič kërkoi një prift të përshtatshëm për udhëheqjen e Kolegjit të ipeshkvisë së Shën Stanisllavit në Shentvid mbi Lubjanë. Janez Gnidovec ishte njëri ndër kandidatët, i cili ishte lajmëruar për studime në Vjenë. Në universitetin e Vjenës në vitet 1899-1904 ai studioi filologjinë klasike, gjuhën sllovene dhe atë gjermane. Pasi u kthye, punoi si profesor praktikant në gjimnazin e Kranjit dhe më pas studimet i përfundoi me doktoraturë më 19 korrik 1904. Më 22 shtator 1905 u emërua profesor dhe drejtor i parë i gjimnazit ipshkvor të Kolegjit të Shën Stanisllavit në Shentvid mbi Lubjanë.

Ishte i shquar si profesor dhe drejtor kërkues, i vështirë dhe i përvuajtur, i kujdesshëm ndaj nxënësve dhe bashkëpunëtorëve. Në kohën e Luftës së Parë Botërore në Kolegj gjendej edhe spitali i improvizuar ushtarak. Kështu që Janez Gnidovec u përkujdesua edhe për ushtarë të sëmurë dhe të plagosur. Siç duket, puna kërkuese e Kolegjit dhe hallet e luftës e kishin molisur e lodhur, prandaj edhe vendosi që tani e tutje t’u përkushtohej misioneve.

Më 7 dhjetor 1919 e la Kolegjin e Shën Stanislavit dhe në shoqërinë e imzot Jeglič hyri në Kongregatën e Etërve Misionarë, që në atë kohë e kishte selinë në Tabor, në Lubjanë. Pas noviciatit në Groblje, pranë Domžale, në vitin 1921 bëri kushtet e përjetshme dhe menjëherë pas kësaj u emërua si nëndrejtor i studentëve të teologjisë të Kongregatës Misionare. Gjithashtu ishte edhe rrëfystar në paraburgimin e Begunjes dhe misionar i popullit. Më 5 mars 1923 u bë drejtor i noviciatit të Kongregatës Misionare në Groblje dhe njëkohësisht vazhdoi me misionin në popull.

Ndërkohë nunci apostolik kërkonte një kandidat të përshtatshëm për ipeshkëv në Prizren dhe Shkup. Imzot Jeglič i propozoi Janez Gnidovecin. Papa Piu XI, më 29 tetor 1924 e emëroi ipeshkëv të Shkup – Prizrenit. Më 30 nëntor 1924 mori shugurimin ipeshkvor në Kishën e Zemrës së Krishtit në Tabor, në Lubjanë, dhe më 8 dhjetor 1924 solemnisht u vendos në Prizren – Kosovë.

Menjëherë pas shugurimit iu përkushtua punës misionare. Me gëzim i vizitonte famullitë dhe besimtarët. Më 19 mars 1930 në Prizren (Kosovë) bekoi ndërtesën e re të seminarit të vogël. Në vitin 1934 selinë ipeshkvore e shpërnguli në Shkup (Maqedoni). Mes vitit 1928-1938 ndërtoi shumë kisha në këto qytete dhe fshatra: Pejë, Gjakovë, Prishtinë, Smaq, Ferizaj, Letnicë, Krvoseri, Zllakuçan, Dušanovac, Gusi, Bistrenic, Peshter dhe Dunavë.

Iu përkushtua shumë priftërinjve dhe u angazhua për bashkimin vëllazëror e formimin e tyre. Për këtë qëllim gjatë viteve 1925-1938 në ipeshkvinë e tij u zhvilluan 9 sinode ipeshkvore, ku sipas mundësisë ishin të mbledhur të gjithë priftërinjtë e ipeshkvisë; besimtarëve u dërgoi 11 letra baritore; përgatiti tre kongrese eukaristike dhe dy kongrese mariane. Pesë herë shkoi në Romë dhe një herë në Çikago.

Në vitin 1933 u sëmur rëndë, por u shërua; qysh atëherë pati dhimbje koke të vazhdueshme. Më 10 janar 1939, shumë i sëmurë, udhëtoi vetë për në Lubjanë. Të nesërmen nga shtëpia provinciale e Etërve vinçencianë, e çuan në spitalin e Leonishqes. Dhimbja trupore e tij u bashku me natën e errët të kërkimit të Hyjit dhe me përjetimin e vetmisë e ndjenjën e padenjësisë.

Vdiq të premten e parë më 3 shkurt 1939. Më 6 shkurt 1939 u varros mes bashkëvëllezërve vinçencianë, në varrezat e Lubjanës në Zhale. Mes ipeshkvinjëve të pranishëm ishte edhe arqipeshkvi i Zagrebit Alojzi Stepinac, më vonë dëshmitar dhe martir, i shpallur ndër të lumtur në vitin 1998.

Kongregata për çështjen e shenjtërve më 15 dhjetor 1977, arqipeshkvit të Lubjanës dr. Jozef Pogaçnik, i lejoi fillimin e procesit ipeshkvor; arqipeshkvi Pogaçnik e shpalli fillimin e procesit më 8 shkurt 1978. Procesi përfundoi në vitin 1984; pastaj u dërguan në Romë dokumentacionet mbi virtytet e tij. Më 13 janar 2005 në Lubjanë filloi procesi dioqezan rreth shërimit me ndërmjetësinë e Gnidovecit; ky proces përfundoi më 24 korrik 2006; ndërsa dokumentet e bashkuara u dërguan në Kongregatën e çështjeve për shenjtër më 7 gusht 2006. Prefekti i Kongregatës për çështjen e shenjtërve, pas një viti, më 23 korrik 2007 e konfirmoi procedurën e rregullt dhe të drejtë.

Papa Benedikti XVI më 27 mars 2010 lejoi publikimin e dekretit mbi shkallën trimërore të jetës së virtytshme të Janez Fran Gnidovecit; tash e tutje emrohet shërbëtor i nderueshëm i Hyjit.

Nga 29 shtator 2010 është varri i Janez Fran Gnidovecit në kishën e Zemrës së Krishtit në Tabor në Lubjanë.

Veçoria e personalitetit të Janez Fran Gnidovecit është thjeshtësia e tij. Mundimet nuk ishin të tepërta për të. Misionin e vet e shihte në apostullat, lutje dhe veprimtari baritore; e motivonte zelli për shpirtrat. Nga Shentividi deri në Shkup e shquante puna, lutja, modestia, shërbimi ndaj Kishës dhe nëpër mes saj edhe shërbimi ndaj popullit, për të cilin ishte i dërguar (motoja ipeshkvore: Për të qenë gjithçka për të gjithë!).

Kjo është historia e baticave dhe zbaticave, sukseseve dhe mossukseseve, përkrahjeve dhe mosmarrëveshjeve. Fushën shpirtërore të historisë e mbizotëroi më shumë me jetë, qëndrueshmëri dhe besnikëri. Jeta ishte për të shërbimi ndaj Hyjit. Në jetën e tij patën vlerë parimet, vullneti dhe besnikëria. Kjo mënyrë e të kuptuarit në thellësi tejkalon specifikën e detyrës së një mësuesi, pedagogu dhe bariu E fortë është edhe përvoja e tij e natës së errët të fesë dhe ajo e vuajtjes; përvojë, e cila në shumë gjëra e lidh me shenjtër të mëdhenj të Kishës.

Fjalët e shkruara të Gnidovecit janë shumë të rralla. Më të shumta janë fjalët që flasin mbi të. Ndër këta veçohet (dhe çdo gjë përfaqëson) dëshmia e shkruar nga nxënësja e tij nga Shkupi - Agnes Gonxhe Bojaxhiu, sot e lumtura Nënë Tereza. Kështu e ka shkruar në një copë letër, të cilën më 22 gusht 1974 ua ka dhuruar dy rregulltareve sllovene në Romë:

»Ipeshkvi ynë Gnidoveci ishte një shenjt. Të gjithë e kemi thirrur me këtë emër. Ishte prift i vërtetë sipas zemrës së Jezu Krishtit, zemërbutë dhe i përvujtë. Kur u nisa për misione, për mua kremtoi meshën, më kungoi, më bekoi dhe tha: 'Në misione po shkoni. Jepni Jezusit gjithçka që keni, vetëm për Të jetoni, qofshi vetëm e Tija, vetëm Atë duani, vetëm për Të flijohuni. Le të jetë Jezusi gjithçka në jetën tuaj’. Jam e bindur se ai lutet për mua dhe se e kam mbrojtës pranë Jezusit. « Nënë Tereza

LUTJE PËR LUMTURIM

O Zot Hyj,
Shërbëtori yt Janez Frančišek Gnidovec,
nga dashuria ndaj Teje
tërësisht u flijua për të varfrit.
Madhëroje me mrekulli,
që Kisha t’ia dhurojë nderin e altarit,
dhe ne edhe më shumë
të na shndritë shembulli i tij.
Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Amen.